Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka vizituar Doganën e Kosovës.
Kurti është pritur nga drejtori i Doganës, Agron Llugaliu.
“Me 1 miliard e 347 milionë euro të hyra deri tani apo 6% më shumë se sa vitin e kaluar, Dogana e Kosovës po vazhdon me rritjen e pandërprerë dhe të ndjeshme të performancës. Nga viti 2021 deri më 2025, rritja mesatare e të hyrave ka tejkaluar gati trefish normën e rritjes ekonomike, periudhë gjatë së cilës janë arkëtuar gjithsej 8 miliardë e 380 milionë euro”, ka thënë Kurti, duke shtuar se paralelisht, janë ndërmarrë reforma të rëndësishme për lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve, përfshirë përmbylljen e shtetëzimit të terminaleve doganore dhe zbatimin e deklarimit të mallrave para arritjes, i cili ka kontribuar në reduktimin e kohës së procesimit me rreth 70 për qind”, ka shkruar Kurti në Facebook pas kësaj vizite.
Kurti ka thënë se krahas shtimit të efikasitetit në mbledhjen e të hyrave, Dogana ka forcuar edhe kontrollet kufitare dhe përdorimin e teknologjisë.
“Funksionalizimi i skanerit në Merdarë ka rritur kapacitetet për identifikimin dhe parandalimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme. Në vijimësinë e modernizimit, po përparojnë edhe projekte të reja strategjike, përfshirë Dritaren e Vetme Kombëtare, Tranzitin e Përbashkët, automatizimin e mëtejmë të proceseve dhe forcimin e kapaciteteve teknologjike të Doganës së Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

