Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi presidentja Vjosa Osmani bëri të ditur lajmin për njohjen e Kosovës nga shteti i Bahamas, duke theksuar se kjo njohje përbën një tjetër arritje të rëndësishme për subjektivitetin ndërkombëtar të vendit.
Në një postim publik, Kurti ka deklaruar se viti 2024 ka qenë “viti i pasaportës sonë”, ndërsa viti 2025 po shënohet si vit i njohjeve të reja, pas një periudhe të gjatë pa zhvillime të tilla. Ai ka bërë të ditur se Bahamas është shteti i katërt që e njeh Kosovën gjatë këtij viti dhe i 121-ti në total.
“Bahamas bëhet shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Republikën tonë si shtet të pavarur dhe sovran”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri në detyrë ka uruar qytetarët e Kosovës për këtë zhvillim, duke shprehur mirënjohje të veçantë për presidenten Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët ndërkombëtarë për kontributin e tyre në këtë proces.
Ai ka theksuar se njohja nga Bahamas hap mundësi të reja bashkëpunimi dhe se Kosova synon që njohjen reciproke ta shndërrojë në një partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas.


