Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) që në trajtimin e kërkesave të gjyqtarëve serbë për rikthim në sistemin e drejtësisë të ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Deklaratat e Haxhiut vijnë në ditën kur KGJK-ja pritet të shqyrtojë këtë çështje në mbledhjen e 371-të, ku në rend dite është edhe diskutimi lidhur me kërkesën e saj dhe njoftimet e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.
Haxhiu ka vlerësuar se institucionet e drejtësisë duhet të marrin vendime të pavarura, duke kërkuar që të merret parasysh edhe vendimi i Këshillit Prokurorial, i cili nuk kishte miratuar kërkesat e prokurorëve serbë për rikthim pas dorëheqjeve të vitit 2022.
Ajo është shprehur kritike ndaj reagimeve të disa përfaqësuesve ndërkombëtarë, lidhur me këtë proces, duke ngritur pyetjen se si do të vepronin shtetet e tyre në një situatë të ngjashme.
“Kush nga ta do të lejonte që në shtetet e tyre të ketë gjyqtarë e prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër?”, ka deklaruar Haxhiu.
Çështja e gjyqtarëve serbë lidhet me dorëheqjet kolektive të nëntorit të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës pas vendimit të Listës Serbe për bojkotimin e institucioneve.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian një ditë më parë u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga çdo formë presioni ndaj KGJK-së dhe anëtarëve të saj gjatë procesit të vendimmarrjes.
Zyra e BE-së në Kosovë ka theksuar se një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është thelbësor për sundimin e ligjit.
“BE-ja në Kosovë u bën thirrje të gjitha subjekteve politike të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në procesin e vendimmarrjes”, është thënë në reagimin e BE-së.
Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës tashmë ka vendosur për rastin e prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqjet, duke mos i miratuar kërkesat e tyre për rikthim. Ky vendim më pas është formalizuar edhe nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.


