Kryeministri Albin Kurti ka qenë për vizitë ngushëlluese te familja e profesorit të ndjerë, Kadri Metaj. Me këtë rast, ai, ka shprehur konsideratën e tij të lartë për kontributin e profesorit në fushën e arsimit dhe të edukimit të brezave.
“Prof. Kadri Metaj mësoi si të mendojnë shumë breza studentësh të cilët sot i kontribuojnë Kosovës dhe shoqërisë. Me jetën e tij të intelektualit të angazhuar dhe profesorit të Filozofisë, në veprat e tij të shkruara që do të lexohen gjatë, e gjejmë në punët dhe rolin tonë si frymëzim që nuk shuhet”, ka shkruar Kurti në librin e kujtimeve për Metajn, njofton Zyra e Kryeministrit.
I pari i ekzekutivit kishte marrë pjesë edhe në ceremoninë e varrimit të profesorit të ndjerë. Sot ai ishte i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.
Kadri Metaj doktoroi në vitin 1987 në Universitetin e Prishtinës kurse në vitin 1979 u zgjodh asistent në degën filozofi-sociologji. Nga viti 1999 deri në pensionim ishte profesor i rregullt në Departamentin e Filozofisë, ku ligjëroi lëndët nga fushat e filozofisë. Po ashtu ligjëroi edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Universitetin e Shkupit dhe në Universitetin e Tetovës. Disa nga veprat e tij janë: “Teoria estetike e Gjergj Llukaçit” botuar më 1990 dhe “Filozofia politike” më 2003, derisa përktheu edhe disa vepra nga fusha e filozofisë dhe estetikës.


