Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Jetish Jashari nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, i ka vizituar policët e rrëmbyer të martën, dhe siç tha ai,të tretë kanë treguar ngjarjen e njëjtë.
Sipas Kurtit, policët ishin rrëmbyer pranë një tryeze të improvizuar brenda territorit të Kosovës, duke ngrënë bukë.
“Përshkrimi i policëve është i nëjjtë se si ka ndodhur rrëmbimi. Ata thonë se kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, e 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar e kidnapuar. Që të tre thonë rrëfimin e njëjtë kur pyetën ndaras nga ambasadori ynë. Kjo heq dilemën..Serbia ka zhvilluar agresion më 14 qershor. Policët ishin në nivel të detyrës, në luftim të kontrabandës, aty ku është mbyllur një nga 15 rrugët e kontrabandës”, deklaroi Kurti para mediave.
Ai tha se policët e Kosovës duhet të lirohen menjëherë, pa kushte e të pacenuar, derisa ftoi ShBA-në e Bashkimin e Evropian ta dënojnë rrëmbimin.
“Kush pretendon se janë arrestuar në Serbi, ta shpjegojë se si janë gjetur prangat 1 kilometra larg kufirit në njërën e anë, 670 metra në veri-verlindje, e 300 metra në jugperëndim të kufirit, sërish larg Serbisë. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë arrestimi në Serbi, bëhet fjalë për rrëmbim në Kosovë. Jemi në komunikim me Zyrën Ndërlidhëse në Serbi”, tha ai.
Një përfaqësues i Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë ka vizituar të burgosurit serbë gjatë së martës, ka konfirmuar ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
Tre të burgosurit serbë, Milun Milenkoviq, Nemanja Vllaskoviq dhe Dalibor Spasiq janë arrestuar për shkak të sulmeve në veri gjatë kësaj jave.
I pyetur nëse ka pasur dakordim që përfaqësuesit e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë e Beograd t’i vizitojë të burgosurit respektivë, kryeministri Albin Kurti e ka mohuar një gjë të tillë. Ka thënë se do të lejonte të vizitoheshin të burgosurit serbë, edhe nëse Serbia nuk do t’ia kishte lejuar vizitën për tre policët e kidnapuar.
“Nuk ekziston kurrfarë barazie. Të burgosurit kanë të drejta. Të burgosurit janë të privuar nga liria, por jo nga të drejtat. Edhe nëse nuk do të ishte e mundshme që të vizitoheshin tre policët tanë, ne nuk do të ishim hakmarrë. Dënimin e të burgosurve t’i diferencojmë sipas pazareve politike, siç mund të mendojë një shtet autokratik. Ne jemi shtet demokratik. Nuk i privojmë të burgosurit nga të drejtat”, ka thënë Kurti.
Lexoni edhe këto:


