Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, vizituan Qendrën e Resurseve të HANDIKOS.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë për përmirësimin e kushteve dhe përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Në këtë linjë, sipas njoftimit nga Kryeministria, u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë mes Qeverisë dhe HENDIKOS përgjatë hartimit të rregullores së re për procesin e vlerësimit të personave paraplegjik dhe tetraplegjik. Rregullorja e re e miratuar në gusht të këtij viti, adreson problemet e mëdha që ka shkaktuar rregullorja e kaluar dhe vlerësimi jo cilësor.
“Ndryshimet kryesore në këtë rregullore përfshijnë heqjen e rivlerësimeve të cilat tani do të kryhen vetëm në raste të veçanta; shmangien e burokracisë dhe procesit të stërzgjatur të vlerësimit, meqenëse tashmë vlerësimi bëhet nga një komision i vetëm në Ministri; rregullorja parasheh edhe vizitat e komisionit në shtëpi për personat që për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht pranë komisionit dhe mundësimin e aplikimit online përmes platformës e-Kosova për të lehtësuar qasjen për përfituesit me aftësi të kufizuar; rritjen e llogaridhënies së komisionit të ri, i cili do të përbëhet nga mjekët dhe profesionistë të kontraktuar që raportojnë në Ministri; si dhe përfshirjen e vlerësimit të nevojave sociale për personat Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, me qëllim të përfshirjes sociale dhe jetesës së pavarur. Krahas rregullores, Qeveria e Republikës së Kosovës këtë vit ka rritur edhe pensionet për kategoritë e personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë për 20%, derisa në vitin 2023 janë mbështetur gjithsej 3006 përfitues me një buxhet prej 11,474,669€ nga Skema për Kompensimin e Personave Paraplegjikë”, thuhet në njoftim.
Tutje theksojet se për herë të parë është iniciuar ligji për personat e shurdhër dhe po zhvillohet koncept-dokumenti për shërbimet në gjuhën e shenjave. Po ashtu, janë publikuar dokumente ligjore në shkrimin Braille për personat e verbër, ndërsa janë punësuar 339 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara.
U nënvizua se Qeveria ka miratuar përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutë, si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të të drejtave të kësaj kategorie, dhe në anën tjetër, ka finalizuar Strategjinë Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara 2025-2030, e cila pritet të miratohet së shpejti.
Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë për mikpritje dhe theksoi gatishmërinë për bashkëpunim sa më të afërt në shërbim të përmirësimit të kushteve dhe shërbimeve sociale për personat me aftësi të kufizuara.


