Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, realizoi një takim zyrtar me z. Sezai Uçarmak, Zëvendësministër i Tregtisë dhe njëherësh udhëheqës I Administratës Doganore të Republikës së Turqisë. Takimi u mbajt në Ankara dhe shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy administratave doganore.
Gjatë takimit, palët diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, përfshirë modernizimin e shërbimeve doganore, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e teknologjive të avancuara si inteligjenca artificiale (AI) dhe teknologjia blockchain, me synim përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës në operacionet doganore.
Një moment i veçantë i takimit ishte nënshkrimi i një Deklarate të Përbashkët të Angazhimit për Bashkëpunim Teknik, e cila përcakton kornizën për bashkëpunim të mëtejmë në nivele teknike, në fushat e shkëmbimit të informatave, trajnimeve profesionale dhe zhvillimit të kapaciteteve.
“Ky takim konfirmon vullnetin e dy administratave për të avancuar marrëdhëniet miqësore dhe profesionale, duke kontribuar në sigurinë, tregtinë e lirë dhe zhvillimin ekonomik në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin pë media.