Ditë frymëzimi e ka quajtur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ditën e Pavarësisë ndërsa ka folur në seancën solemne të Kuvendit në shënimin e 17 shkurtit.
Konjufca ka thënë se i përkulemi atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.
“U deshtë mund kolosal dhe sakrifica sublime për të lindur Republika e Kosovës. Është ditë e frymëzimit. Përkulemi para atyre që dhanë jetën për liri. Heroizmi i Jasharëve, urtësia e Rugovës dhe ideali i Demaçit. I kemi në zemër të gjithë ata që nuk iu trembën burgjeve e nuk iu trembën demonstratave. I kujtojmë deputetët e 2 korrikut e 7 shtatorit. I përkulemi popullit tonë të pamposhtur, të etur për liri”, është shprehur ai.
Konjufca ka theksuar tutje se në frymën e lirisë do të edukohen të gjitha gjeneratat e mëpasshme.
“Në këtë frymë të lirisë u edukuam vetë dhe në këtë frymëzim do t’i edukojmë fëmijët tanë. Kur bota e kuptoi që më së pari luftojmë për liri dhe nuk nënshtrohemi, na ndihmoi ta largojmë okupatorin. Ne si popull e kemi edhe durimin edhe guximin. Të gjithë miqtë tanë, pa të cilët rrugët e Kosovës do të ishte e pamundur, së pari SHBA-në e më pas shtetet e BE-së. Falënderojmë NATO-n që ndali gjenocidin mbi popullin. Falënderojmë të gjitha shtetet që e njohën Pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.


