Në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca solemne për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj ka thënë se 17 Shkurti është datë unike që bashkon qytetarët.
“Përkundër vështirësive shekullore, ne rezistuam dhe e mbajtëm kokën lartë. Kosova sovrane është dëshmi e saj që kur vullneti i qytetarëve bashkohet rreth një qëllimi. Prandaj, sot t’i gëzohemi lumturisë që sjellë fakti që ne tashmë jemi popull i lirë, qytetarë të lirë në tokën tonë”, u shpreh ajo.

Osmani ka kujtuar edhe dëshmorët, martirët dhe të gjithë ata që kanë dhënë jetën për Kosovën.
Gjithashtu, ajo ka falënderuar miqtë ndërkombëtarë që kanë ndihmuar Kosovën.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në fjalimin e tij tha se sot po festohet dita e shtetit, Dita e Pavarësisë.
“I kemi në zemër të gjithë ata që i dolën përballë Serbisë dhe nuk kursyen asgjë për Kosovën. Për të lindur shteti ynë, ne duruam shumë dhe gjatë derisa bota u bindë se ne kemi të drejtë. Kur bota e kuptoi se lufta jonë është e pastër. Ne si popull e kemi durimin dhe guximin”, tha Konjufca.

Kryetari i Kuvendit falënderoi NATO, SHBA dhe të gjitha vendet që e përkrahën Kosovën.
Kurse, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Kosovës i dalim zot të gjithë.
“Kosovën e kanë pjekur parakohe, atë e ka pjekur qëndresa e popullit. Koha e saj kishte ardhur në vitet e 80’ta. Për të u luftua. Kosova fitoi simpatinë e shteteve evropiane që i dolën përkrahë”, tha Kurti.
Në fjalimin e tij, Kurti foli edhe për raportet me Serbinë, ku tha se ky shtet ka zgjedhur terrorizmin.


