Policia e Kosovës ka arrestuar të premten në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit një person të kërkuar me urdhër të gjykatës për vuajtjen e një dënimi me burg.
Sipas njoftimit policor, më 19 qershor 2026, rreth orës 17:10, autoritetet kanë pranuar informacione se personi i kërkuar ishte parë në rrugën “Jalldezë Krasniqi” në Paldenicë.
Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë në terren dhe kanë arritur ta lokalizojnë e arrestojnë të dyshuarin me inicialet M.B., 57 vjeç.
Policia bëri të ditur se ndaj tij ishte lëshuar urdhër nga gjykata për ekzekutimin e dënimit me pesë vjet burgim për veprën penale “Sulm seksual”.
Pas kryerjes së procedurave të nevojshme në Stacionin Policor në Han të Elezit, i arrestuari është dërguar në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit të shqiptuar nga gjykata.


