Rreth 80 për qind e shërbimeve shëndetësore në Kosovë jepen nga kujdesi shëndetësor. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me temën “Zbatimi i konceptit të mjekësisë familjare, të arriturat dhe sfidat”. Nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë është thënë se gjatë vitit të kaluar janë ofruar rreth 3 milionë shërbime, shifër kjo që është në shpërputhje me numrin e banorëve në kryeqytet. Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se gjatë vitit do të filloj pilot-projekti me përpilimin e listës së pacientëve.
Rreth 80 për qind e shërbimeve shëndetësore në Kosovë jepen nga kujdesi shëndetësor. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me temën “Zbatimi i konceptit të mjekësisë familjare, të arriturat dhe sfidat”. Nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë është thënë se gjatë vitit të kaluar janë ofruar rreth 3 milionë shërbime, shifër kjo që është në shpërputhje me numrin e banorëve në kryeqytet. Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se gjatë vitit do të filloj pilot-projekti me përpilimin e listës së pacientëve.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mulhaxha Kollçaku tha se numri i mjekëve familjarë në QKMF është shumë më i madh se sa në fshatra.
“Mjeku familjar është ngarkuar me shumë detyra dhe përgjegjësi, por në anën tjetër në shoqëri pak a shumë në diskursin publik më shumë është prezent diskutimi për QKUK-në, spitalet regjionale. Disi mjekësia familjare, mjeku familjar nuk është në fokus për shkak se vërtet kemi më pak afera në këtë nivel. Mjekët familjarë e kryejnë punën e vet pak më shumë në heshtje, sepse kur të referojnë pacientë janë në fokus të vëmendjes se sa po referohet, a po kryhet ajo për çfarë është marrë përgjegjësia… Vërejtjet që i kemi nga mjekët që punojnë në qendrat kryesore familjare janë se janë të mbytur me punë, deri në shtatë mijë pacientë për një mjek familjar. Nuk korrospodon me qendra e mjekësisë familjare nëpër fshatra, ku kemi raste ku mjeku edhe rri”, ka thënë ajo.
Në diskutimin e së martës, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha deklaroi se gjatë vitit do të fillojnë me përpilimin e listës së pacientëve dhe identifikimin e mjekut familjar.
Ai theksoi se sfidues është numri i vogël i specializantëve dhe specialistëve në kujdesin parësor dhe ndërrimit të shpeshtë të pushteteve.
“Janë 80 për qind të shërbimeve shëndetësore që merren dhe jepen nga kujdesi parësor shëndetësor dhe kriteret për përcaktimin në aspektin ligjor besoj që nga mesi i korrikut do të jetë e përfunduar. Besoj që në mesin e dytë të vitit në dy komuna, eventualisht tri, të fillojmë pilot projektin e krijimit të listës së pacientëve me të vetmin qëllim për identifikimin e secilit banor me mjekut të tij familjar. Duke e caktuar listën e pacientëve dhe caktimit të mjekut për 2 mijë banorë, ne e ulëm ndjeshëm edhe shkallën e referimit për kujdesin dytësor dhe tretësor”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, Muhamedali Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve theksoi se sistemi shëndetësor ka nevojë për riorganizim të tërësishëm.
“Duhet të plotësohen nevojat e popullatës në sistem shëndetësor. Pika kthesë në këtë sistem, duke filluar në tri rrafshe dhe respektuar kornizën e veprimit të OBSh-së të sistemit shëndetësor. Pika kryesore është duke u bartur te kërkesa buxhetin që dedikohet shërbimeve t’i dedikohet fondit të sigurimeve dhe fondi të fillojë blerjen. Kjo është pika kthesë, nëse ne prapë vazhdojmë ta dedikojmë buxhetin te ofruesit, ne jemi duke vazhduar me avazin e vjetër”, është shprehur ai.
Drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi ka folur për numrin e madh të qytetarëve të zonave të tjera që marrin shërbime në Prishtinë.
“Në vitin 2021 janë mbi 1 milion e 200 mijë vizita mjekësore dhe i kemi tre milionë shërbime. Nëse e kalkulojmë i bie që çdo qytetari të kryeqytetit ta vizitojë qendrën e mjekësisë familjare 5,26 herë brenda vitit, që mendoj që është absurde. I bie që çdo qytetar i kryeqytetit të merr rreth 16 shërbime brenda vitit. Mendoj që as kjo nuk qëndron. Ky është një disbalanc i madh”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij, numri i banorëve në kryeqytet është shumë më i madh se sa që është i planifikuar dhe sa bëhet ndarja e fondit. Kujdesi shëndetësor parësor në Prishtinë është i organizuar në 13 Qendra të Mjekësisë Familjare dhe Njësi të Kujdesit Ambulantor./KP