Pas gjobitjes nga Agjencia për Informim dhe Privatësi për shkelje të privatësisë pasi faturat shpërndahen duke ekspozuar të dhënat e qytetarëve, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka deklaruar se po e ka vështirë ta implementojë shpërndarjen e faturave me zarfe.
Në një komunikatë për media të mërkurën, KESCO ka thënë se e kishte testuar këtë metodë nga maji.
Megjithatë, sipas saj, ka vështirësi për shkak të mungesës së kutive postare e adresave.
“Kjo formë e re e shpërndarjes së faturave pa dyshim që po has në shumë vështirësi për ta implementuar në plotni. Një nga pengesat kryesore, është mungesa e kutive postare, mungesa e adresave dhe numri identifikues i shtëpive apo objekteve banesore. Këto po e vështirësojnë tejmase procesin e dorëzimit të faturave. Futja në zarfe e të gjitha faturave, përpos pengesave në terren, po ngadalëson edhe komplet procesin e leximit dhe faturimit”, ka shkruar KESCO.
Kjo kompani ka bërë thirrje për alternativa tjera duke e quajtur esencial “bashkëpunimin ndërinstitucional që të gjendet zgjidhja sa më e mirë dhe sa më efikase, benefitet e të cilave do t’i korrnin konsumatorët fundor”.
Ditë më parë, AIP-ja njoftoi se ka gjobitur KESCO-n për mosndërmarrje të masave të nevojshme të sigurisë në përpunimin e të dhënave personale gjatë shpërndarjes së faturave për qytetarët.
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ka njoftuar se ka shqiptuar gjobë ndaj Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike Sh.A (KESCO) për mosndërm
Ngjashëm u gjobit edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.


