Policia e Kosovës po vepron me kompetencë dhe profesionalizëm, duke dëshmuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me autoritetet ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Përmes një komunikate për medie, Policia e Kosovës bën të ditur se në kuadër të këtyre përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e veprave penale, përfshirë edhe luftimin e kriminalitetit, që kalon kufijtë shtetëror, në veçanti identifikimin dhe arrestimin e personave të kërkuar, që provojnë t’i ikin drejtësisë, sot më 12.10.2023, njësiti ‘FAST-Kosova’ nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit e PK-së, kanë arritur ta arrestojnë një person në kërkim nga INTERPOL-i.
I dyshuari me urdhër arrest ndërkombëtar përmes INTERPOL-it kërkohej nga autoritetet e Shqipërisë nën dyshimin për veprimtari penale, respektivisht “ kultivim të bimëve narkotike”.
Tutje, në komunikatë thuhet se me vendim të prokurorit kompetent personi i arrestuar dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit dhe që ky bashkëpunim do të vazhdojë në frymën e besimit dhe bashkëpunimit edhe në të ardhmen, në funksion të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit në përgjithësi, thuhet, ndër të tjera, në komunikatë.


