Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka njoftuar se ka liruar nga detyra Nagip Krasniqin dhe ka njoftuar se konkursi për pozitën e kryeshefit ekzekutiv do të hapet në ditëve ne vijim.
Sipas njoftimit, gjatë mbledhjes së mbajtur dje janë marrë dy vendime ku njëri prej tyre ishte lirimi nga detyra tashmë të ish-kryeshefit ekzekutivit, Nagip Krasniqi.
“Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. ka marrë vendim për të liruar nga detyra tashmë ish Kryeshefin Ekzekutiv, z. Nagip Krasniqi”, thuhet në njoftim.
Bordi i Drejtorëve të KEK ka vendosur që në ditët në vijim të inicohen edhe procedurat për shpalljen publike të konkursit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të ri të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Krasniqi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare e ushtrim të ndikimit.
Ai u arrestua më 19 prill të vitit 2023 dhe më 25 prill 2023 është pezulluar nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.
Ndërsa në shtator ai ishte liruar nga paraburgimi, por të njëjtit i’u kishte ndaluar t’i afrohej objektit të KEK-ut në 50 metra.