Anëtarët e Këshillit Grevist të BSPK-së, të shoqëruar nga anëtarët e Këshillave Greviste të Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së kanë vizituar çerdhen “Yllkat”, në ditën e parë të Grevës së Përgjithshme.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva do të vazhdojë derisa të mos përmbushen kërkesat.
Ai ka thënë se Qeveria ka kapacitet për t’i ndarë nga 100 euro për mësimdhënësit.
Jasharaj ka thënë se për ta ruajtur shtetin, po e kërkojnë shumën minimale.
Ai ka thënë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci po i injoron kërkesat e tyre.
“Kemi pasur premtime, por Qeveria nuk i ka përmbushur. Jemi duke kërkuar shumë minimale. Po ta kishim ligjin e pagave, këto çështje nuk do ta përmendnin. Qytetarët mllefin nuk duhet orientuar nga ne. Qeveria nuk ka mbajtur asnjë takim me neve”, ka thënë ai.
Kurse Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ditë më parë ka njoftuar se MASHTI në koordinimit më Komunat e Kosovës i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.
Tutje Nagavci ka shkruar se edhe për Ligjin e ri për paga sipas të cilit mësimdhënësit e të gjitha niveleve pa përjashtim, janë trajtuar me kujdes të veçantë.
Nagavci gjithashtu ka theksuar se paralajmërimet e SBASHK për ndërprerje të procesit mësimor janë të paarsyeshme dhe nuk mund të cenojnë të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim.
Ndërkaq Rrahman Jasharaj ka thënë se Qeveria duhet të ulet të bisedojë në mënyrë që kjo grevë të mos zgjasë.
Sipas tij, Kurti i ka injoruar edhe pse sindikatat kanë kërkuar takim me të.
“Ministrat që po qajnë me lot artificial mund të ulën dhe ta zgjidhin këtë çështje. Prindërit mllefin ta orientojnë nga Qeveria”, ka thënë ai.


