Agjencia e inteligjencës e Turqisë ka pasur rol kyç në përpjekjet diplomatike që çuan në ujdinë për armëpushimin dyjavor ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, kanë raportuar mediat turke të mërkurën (08.04.2026), duke cituar burime sigurie, shkruan Reuters.
Uashingtoni u pajtua të martën mbrëma vonë për armëpushimin, të ndërmjetësuar nga Pakistani, në konfliktin që është përhapur në mbarë Lindjen e Mesme dhe ka ndërprerë furnizimet globale me energji.
Kanali shtetëror i lajmeve, TRT, ka njoftuar se Organizata Kombëtare e Inteligjencës e Turqisë (MIT) ishte ndër aktorët e paktë në gjendje të mbante kontakt të drejtpërdrejtë si me vendet perëndimore, ashtu edhe me Iranin fqinj, përfshirë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
TRT-ja ka raportuar se MIT-i kishte punuar për t’i mbajtur të hapura kanalet e komunikimit, për parandalimin e keqkuptimeve, për transmetimin e mesazheve që synojnë depërshkallëzimin, për paraqitjen e propozimeve për të ndihmuar në shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe për koordinimin e shërbimeve të shumta inteligjence.
Reuters nuk ka mundur që menjëherë të siguronte komentin prej MIT-it për raportin.
Ndërsa Pakistani udhëhoqi përpjekjet e ndërmjetësimit, Teherani ka thënë se Turqia kishte pasur rol pasi fillimisht kishte kërkuar të organizonte bisedime të drejtpërdrejta SHBA-Iran para se të fillonte lufta në fund të shkurtit. Një diplomat në Turqi ka thënë ndaras se Ankaraja luajti rol mbështetës në javët e fundit të bisedimeve. Presidenti turk, Tayyip Erdogan, vendi i të cilit është aleat i SHBA-së në NATO dhe kufizohet me Iranin, të mërkurën ka përshëndetur armëpushimin, duke bërë thirrje për zbatimin e plotë të tij dhe ka paralajmëruar kundër çdo provokimi ose akti sabotimi.



