I dyshuari në paraburgim për një sulm me thikë në qytetin gjerman perëndimor të Solingenit, gjatë të cilit u vranë tre persona dhe u plagosën tetë, është një burrë 26-vjeçar sirian, kanë bërë të ditur autoritetet herët të dielën.
I dyshuari është dorëzuar dhe e ka pranuar krimin, kanë thënë policia dhe prokurorët e Dyseldorfit në një deklaratë të përbashkët.
“Përfshirja e këtij personi aktualisht është nën hetim intensiv”, thuhet në deklaratë, raporton Reuters.
Sulmi, për të cilin grupi i Shtetit Islamik mori përgjegjësinë, ndodhi të premten në mbrëmje, në një festival gjatë të cilit po festohej historia 650-vjeçare e qytetit.
I dyshuari është i lidhur me një shtëpi për refugjatët në Solingen që ishte kontrolluar të shtunën, sipas autoriteteve.
Der Spiegel, duke cituar burime të paidentifikuara të sigurisë, ka raportuar se rrobat e të dyshuarit ishin të lyera me gjak.


