Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim deputeten dhe Kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi, është diskutuar për situatën në veri të Kosovës, me theks të veçantë për ngjarjet e fundit me sulmin terrorist në territorin e Kosovës të dirigjuar nga Serbia.
Ministrja Haxhiu ka informuar deputeten Kearns për punën e institucioneve të drejtësisë për t’i sjellë para përgjegjësisë penale terroristët, refuzimin e Serbisë për të dorëzuar terroristët, për procedurat për fletërreshtimin ndërkombëtar.
Temë diskutimi ishte gjithashtu bashkëpunimi i Republikës së Kosovës me mekanizmat ndërkombëtar.
Tutje Ministrja Haxhiu e ka njoftuar deputeten Kearns për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, sfidat dhe rezultatet gjatë këtij rrugëtimi. Reforma në sistemin e drejtësisë, adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës, dhuna në familje, ishin disa nga temat e diskutuara në këtë takim.Deputetja dhe Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, u zotua për mbështetje të vazhdueshme të Kosovës në proceset e saj veçmas në kuadër të forcimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë. Të dy palët u dakorduan për komunikim të vazhdueshëm për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin në dobi të fuqizimit të Republikës së Kosovës në aspiratat e saj.
Haxhiu tha se i ka dhuruar deputetes britanike aksesorë të punuar nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“E nderuar të pres deputeten @aliciakearns në Ministrinë e Drejtësisë. Pas takimit tonë produktiv, pata privilegjin t’i dhuroja disa aksesorë artizanale të bëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe i tregova Këndin e Guximit, ku ekspozohen punime artizanale”, shkroi ajo në platformën X.