Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Ministria e Mbrojtjes ka hapur konkursin për rekrutimin e personelit profesional, teknik dhe mbështetës për Kompleksin për Prodhimin e Municioneve në Jahoc të Gjakovës.
Sipas njoftimit, konkursi përfshin pozita në fusha të ndryshme, përfshirë inxhinierinë, teknikën, prodhimin, mirëmbajtjen, kontrollin e cilësisë, sigurinë dhe logjistikën.
Ministria ka bërë të ditur se përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimet e transparencës, meritokracisë dhe profesionalizmit.
Kandidatët e përzgjedhur do t’u nënshtrohen trajnimeve të nevojshme profesionale para angazhimit në detyrë.
Sipas Maqedoncit, hapja e konkursit shënon një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimit të kapaciteteve vendore në industrinë e mbrojtjes.
Afati për aplikim është nga 24 deri më 30 gusht 2026.

