Një grua është goditur nga një veturë mëngjesin e sotëm në Prishtinë, deri sa ajo ishte duke kaluar rrugën në zebra.
Rastin pas raportimit të KosovaNews tani e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë rajonale për Prishtinë, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se gruaja është dërguar për trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 08:00 kemi pranuar informatën se në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësore dhe një veturë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar këmbësorja, e cila është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti për KosovaNews.
Ajo tha se me rastin po merret njësiti i trafikut rrugor për të parë të gjitha faktet e këtij aksidenti./KosovaNews


