Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person nën dyshimin se ai ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm me mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve.
Madje personi thuhet se është prangosur pasi ka gjuajtur me armë në drejtim të një shtëpia, xhamet e të cilës janë thyer nga goditja e plumbave.
“Me datën 12.12.2022 rreth orës 23:30 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se në fshatin Sojevë të Ferizajt, një qytetar ka raportuar se në afërsi të shtëpisë së tij ka dëgjuar një krismë nga arma e zjarrit. Më pas në njërën nga dhomat e shtëpisë së tij ka vërejtur se ishte thyer dritarja dhe brenda dhomës në komodinë ishte një predhë”, thuhet nga policia.
Tutje në njoftim thuhet se Policia e stacionit në Ferizaj, konkretisht Njësia e Hetimeve i ka marrë masat e nevojshme, ka ndalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka nisur hetimet.
“Pas një pune hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren dhe dëshmive të mbledhura nga vendi i ngjarjes, sot rreth orës 10:30 kanë shoqëruar në stacionin e policisë personin e dyshuar B.K (M/K) i moshës 42 vjeçar, i cili ka pranuar se ka gjuajtur me armë dhe armën e zjarrit ( pistoletë) pa leje e ka dorëzuar në stacionin e policisë”.
Bëhet e ditur se i dyshuari, pasi është intervistuar nga policët hetues dhe me vendim të prokurorit të rastit, i njëjti është liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ” Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve”./KosovaNews


