Legjenda e futbollit spanjoll, Andres Iniesta, beson se ndalimi i Lionel Messit në finalen e Kupës së Botës 2026 është një mision pothuajse i pamundur.
Në prag të përballjes mes Spanjës dhe Argjentinës, ish-mesfushori i Barcelonës dhe kombëtares spanjolle vlerësoi se “La Roja” nuk duhet të fokusohet vetëm te neutralizimi i Messit, por mbi të gjitha të imponojë lojën e saj dhe të jetë efikase para portës.
“Sinqerisht, është e pamundur ta ndalosh plotësisht Messin. Më e rëndësishme është që Spanja ta dëmtojë Argjentinën me lojën e saj, të krijojë raste dhe t’i shfrytëzojë ato”, deklaroi Iniesta.
Ai nuk kurseu as fjalët e mëdha për kapitenin argjentinas, duke e cilësuar si një futbollist unik.
“Nuk gjej fjalë për ta përshkruar. Vendosmëria, bindja dhe gjithçka që ai bën në çdo ndeshje janë të jashtëzakonshme. Për të mund të bësh vetëm një gjë: t’i heqësh kapelen”, u shpreh ish-kampioni i botës.
I pyetur nëse do ta shqetësonte fakti që Spanja mund ta fitonte finalen me një gol të vetëm ose me një autor të papritur, Iniesta e bëri të qartë se rëndësi ka vetëm trofeu.
“Nuk më intereson se kush shënon. E rëndësishme është që Spanja të shpallet kampione. Kush realizon golin e fitores është krejtësisht dytësore”, theksoi ai.
Messi, 39-vjeçar, do të udhëheqë Argjentinën në finalen e së dielës pas një turneu mbresëlënës, ku ka regjistruar tetë gola dhe katër asistime. Kapiteni argjentinas synon të fitojë Kupën e tij të dytë të Botës, ndërsa së fundmi ka lënë të hapur mundësinë që të jetë pjesë e Botërorit 2030, pavarësisht se atëherë do të jetë 43 vjeç.


