Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, në kuadër të fushatës kundër trafikimit me njerëz, sot mbajti tryezë të rrumbullakët me Këshillat Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Ferizajt.
“Fëmijët në situatë rruge janë kategoria më e cenueshme e komunitetit dhe mbrojtja e tyre është e domosdoshme, e në veçanti mbrojtja nga keqpërdorimet përfshirë trafikimin në të gjitha format e kësaj dukurie. Puna e pa ndalur në këtë fushë, është përgjegjësi e obligim i të gjithëve, që t’i mbrojmë fëmijët, të mbrojmë të drejtat dhe liritë fundamentale të njeriut dhe t’i ndëshkojmë kryesit e veprave të tilla”, ka thënë zëvendësministri Gashani.
Tutje sipas komunikatës, ai ka theksuar se ka filluar hartimi i një plani kombëtar të veprimit për identifikimin dhe trajtimin e fëmijëve në situatë rruge, fëmijëve lëmoshë-kërkues dhe fëmijëve që braktisin shkollën.
“Zëvendësministri Gashani në fjalën e tij tha se Republika e Kosovës e ka të etabluar kornizën legjislative dhe institucionale në fushën e parandalimit dhe luftimit të trafikimit me qenie njerëzore. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që edhe më tutje t’i përafrojë veprimet e veta me instrumentet ndërkombëtare në veprimet anti-trafikim”, vazhdon tutje komunikata e MPB-së.
MPB-ja gjatë kësaj periudhe kohore në kuadër të fushatës vetëdijësuese dhe parandaluese “Mos hesht”, ka përgatitur sesione informuese mbi trafikimin – sidomos me grupe të cenueshme,tryeza të rrumbullakëta me KKSB-të, takime, debate e diskutime për trafikimin si dhe vizita e diskutime në shkolla.