Forca e Sigurisë së Kosovës ka reaguar me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë ndaj situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar vërshime në disa vendbanime të vendit.
Pas përkeqësimit të motit dhe përmbytjes së zonave të caktuara, FSK ka ngritur nivelin e gatishmërisë së njësive të saj, duke u angazhuar drejtpërdrejt në mbështetje të Autoriteteve Civile për menaxhimin e situatës emergjente.
Me urdhër të Komandantit të FSK-së, ekipet në gatishmëri kanë intervenuar në terren për shpëtimin e jetëve dhe ndihmën ndaj qytetarëve të prekur, bazuar në kërkesat e pranuara nga Qendra e Situatave e Republikës së Kosovës.
Nga FSK bëhet e ditur se njësitë e saj mbesin në gatishmëri të plotë për të vazhduar ofrimin e mbështetjes me kapacitetet e Mbështetjes Ushtarake, për aq kohë sa do të ketë nevojë, në funksion të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.
Angazhimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës edhe në këtë situatë dëshmon rolin e saj të rëndësishëm në shërbim të vendit dhe qytetarëve, duke qenë gjithmonë e gatshme të veprojë në momente sfiduese.
Foto: Komuna e Rahovecit


