Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri të dielën mbrëma në Pejë, ndërsa i dyshuari është vetëdorëzuar disa orë më vonë dhe është ndaluar për 48 orë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, rasti ka ndodhur më 13 korrik 2026, rreth orës 22:36, në rrugën “Mbreti Pirro”.
“Stacioni Policor në Pejë, më datën 13.07.2026, në orën 22:36, është informuar se në rrugën ‘Mbreti Pirro’, në Pejë, kishte ndodhur një plagosje dhe një person ishte lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia njofton se njësitet policore kanë reaguar menjëherë, duke gjetur në vendin e ngjarjes viktimën të plagosur nga arma e zjarrit. Fillimisht, ai është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
“Sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile”, bëhet e ditur në komunikatë..
Pas incidentit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, ndërsa në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë kompetente policore, drejtori rajonal dhe prokurori i shtetit.
Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë zhvilluan veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Me autorizim të prokurorit, është kryer edhe bastisja e shtëpisë së tij.
“Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar 73 fishekë të kalibrit 7.65 mm, 41 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe tre karikatorë”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se më 14 korrik 2026, rreth orës 02:30, i dyshuari është vetëdorëzuar, duke dorëzuar edhe dy armë, dy karikatorë dhe 15 fishekë, për të cilat dyshohet se janë përdorur në kryerjen e veprës penale.
“I njëjti, në prezencën e avokatit mbrojtës, është intervistuar nga hetuesit dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.
Policia nuk ka bërë të ditur motivin e plagosjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.


