Enver Dugolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, nënkryetar i Komisionit për Siguri, ka deklaruar se Qeveria po punon që Policisë së Kosovës t’u sigurojë shtesa për rrezikshmëri, por këto sipas tij, nuk duhet të ndahen në mënyrë lineare.
Ai ka deklaruar të enjten në KTV se të gjithë policët nuk janë të rrezikuar njësoj, duke shtuar se shtesat mbi pagën bazë i marrin mbi njëfishin e pagës bazë.
“Kësaj radhe në këtë qeveri ka ndodhur që shtesat mbi pagën bazë po i marrin pasi po punojnë më shumë e të gjitha orët shtesë paguhen. Njëfishi i pagës bazë e marrin të paktën. E kalojnë 1.300 euro por ata i meritojnë. S’është e vërtetë që s’po paguhen. E vetmja që ende s’ka gjetur zbatim derisa të krijohet një formulë meritore është për rrezikshmëri, por jo në mënyrë linerare sepse s’janë të gjithë të rrezikuar. Deri tani ka pasur propozime… Është obligim ligjore në momentin kur ka hyrë në fuqi Ligji i Pagave”, ka thënë Dugolli.
Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Qeveria po shqyrton mundësinë për rregullimin e sigurimeve shëndetësore, e sipas tij, keqpërdorime mund të ndodhin nga kompani private.
“Në kompani private duhet të jesh 100 për qind i shëndosh për të lidhur kontratë… Të gjitha shërbimet shëndetësore polici i merr falas nëse lëndohet në punë. Sigurimet shëndetësore do t’i trajtojmë me ligj”, ka shtuar ai.


