Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka zbuluar mjete monetare të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar në Merdarë.
Sipas njoftimit nga Dogana, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll në bazë të analizës së riskut, ndërsa gjatë intervistimit fillestar udhëtari ishte pyetur nëse posedonte mjete monetare për deklarim. Më pas, automjeti është dërguar në kontroll të detajuar në vijën e dytë.
“Gjatë kontrollit të përbashkët nga zyrtarët doganorë dhe Policia Kufitare, u zbuluan mjete monetare të padeklaruara në dy lokacione të ndryshme të automjetit. Një shumë prej 10,000 euro u gjet në çantën personale të udhëtarit, ndërsa 13,500 euro u zbuluan të fshehura në zarfe brenda një ndarjeje të automjetit. Në total, u evidentuan 23,500 euro mjete monetare. Personi posedonte gjithashtu një kontratë noteriale për shitblerjen e një prone, të datës 29.06.2025, si dhe një dëshmi të tërheqjes bankare, të datës 01.07.2026, të cilat shërbenin si dokumentacion mbi prejardhjen e mjeteve monetare”, thuhet në njoftim.
Pas procedurave, bëhet e ditur se rasti i është referuar Hetimeve Doganore dhe në bazë të legjislacionit në fuqi është aplikuar masa ligjore, ku është ndaluar 25% e shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër i është kthyer poseduesit.
Dogana e Kosovës rikujton se çdo person që hyn ose del nga territori i Kosovës me 10,000 euro ose më shumë ka obligim ligjor t’i deklarojë mjetet monetare, në të kundërtën përballet me masa ndëshkuese.
Institucioni thekson se mbetet i përkushtuar në forcimin e kontrolleve kufitare dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme financiare.


