Komuna e Prishtinës ka njoftuar se deri në janar pritet që të përfundojë procesi i furnizimit me kamera për shkaqe sigurie. Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë të martën se vendosja e kamerave ka nisur javën e kaluar, derisa do të vazhdojë deri në furnizimin e të gjitha institucioneve të cilat kanë nevojë për to. Ajo s’ka treguar se në sa shkolla do të vendosen kamerat, por ka sqaruar se deri në janar të vitit të ardhshëm, puna në vendosjen e këtyre kamerave do të përfundojë.
“Kamerat kanë filluar të vendosen nga java e kaluar. Në çdo shkollë dhe çerdhe që ka nevojë do të bëhen intervenimet e nevojshme, në disa shkolla ku nuk ka fare kamera, do t’i vendosim ato. Në disa shkolla ku janë prishë kamerat do t’i zëvendësojmë, ndërsa në disa të tjera do t’i sanojmë ato që munden të hyjnë prapë në funksion. Po besoj që deri në fund të janarit do t’i përfundojmë punimet”, ka thënë ajo për kohën.
Ajo të hënën përmes një postimi në Facebook ka shkruar se me vendosjen e kamerave, rastet e dhunës në shkolla do të minimizohen, duke shtuar se me këtë veprim janë duke bërë hapa konkretë në rritjen e sigurisë.
Në faqen e prokurimit publik figuron se tenderin e kanë fituar kompanitë “Cimi @ ELECTRONIC SH.P.K.; IMPACT SH.P.K.”. Vlera e projektit është 90,000.00 euro. Kontrata është nënshkruar më 9 nëntor, për “Vendosjen dhe furnizimin me kamera të sigurisë dhe pjesë të tjera përcjellëse për institucionet edukativo arsimore dhe nevojat e tjera komunale”.
Në një takim mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtorit të atëhershëm të Policisë së rajonit të Prishtinës, Fahredin Verbovci, të mbajtur në mars te këtij viti, u arrit dakordim për vendosjen e kamerave të sigurisë në shkollat e kryeqytetit, me qëllim të parandalimit të dhunës në shkolla, përkatësisht rritjen e sigurisë në institucionet edukative.
Gjithashtu në kuadër të sigurisë në shkolla, Policia e Kosovës, me qëllim të krijimit të një klime më të sigurt për zhvillimin mësimor, pati hartuar një Plan Operativ “Siguria ne Shkolla”, në kuadër te Planit Zhvillimor Strategjik 2021-2025’.
Vendosja e kamerave në objektet publike dhe ato private është e rregulluar edhe me ligjet në fuqi të Kosovës.
Në ligjin për mbrojtjen e të dhënave ndër të tjera theksohet edhe se “Personat në sektorin publik dhe privat mund të instalojnë sistemet e vëzhgimit me kamerë për vëzhgimin e ndërtesave të tyre nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pasurisë. Vëzhgimi me kamerë në veçanti mund të jetë i nevojshëm për të vëzhguar hyrjet e ndërtesave, ose ku për shkak të natyrës së punës së tyre ekziston kërcënim potencial ndaj të punësuarve”.


