Bashkimi Evropian pret nga Serbia jo vetëm bashkëpunim të plotë, por edhe pa kushte gjatë hetimeve për zbardhjen e plotë të sulmeve që ndodhën në Banjskë, në veri të Kosovës më 24 shtator, sulme të cilat BE-ja i quajti terroriste.
Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia nuk ka nevojë të fshihet pas formaliteteve që lidhen me statusin e Kosovës, nëse ky shtet ka vullnet politik që të kontribuoj në hetimet e sulmit të 24 shtatorit.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, se pritet e BE-së nga Serbia nuk janë vetëm për bashkëpunim të plotë nga ajo, por edhe bashkëpunim të pakushtëzuar.
“Nëse ka vullnet, ekzistojnë edhe mënyrat. Askush nuk ka nevojë të fshihet pas formaliteteve të njohjes. Ka mjaft mënyra se si mund të ndani dëshmitë, si mund të bashkëpunoni dhe si mund të kontribuoni në hetimin e plotë. Sepse kjo që ka ndodhur me 24 shtator është shumë e rëndë dhe duhet sqaruar plotësisht sepse do të ketë pasoja”, ka deklaruar Stano.
Për Bashkimin Evropian, ka theksuar zëdhënësi Stano, është me rëndësi që hetimet të përfundojnë sa më shpejtë në mënyrë që të krijohet pasqyra e qartë se çfarë ndodhi më 24 shtator, përse ndodhi, kush mori pjesë, kush e orkestroi sulmin.
Peter Stan, ka porositur se bazuar në gjetjet e hetimeve Bashkimi Evropian do të vendosë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm në qasjen e Brukselit ndaj Serbisë, ndaj Kosovës, por edhe ndaj rajonit e dialogut.


