Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se janë bërë një varg shkeljesh dhe parregullsish në Komisionin e Pavarur për Media (KPM) në lidhje me procesin e licencimit dhe ripërtëritjen e licencave të disa operatorëve kabllorë.
Në një konferencë për media të mërkurën, drejtoresha e ZKA-së, Vlora Spanca, ka prezantuar gjetjet e auditorit në menaxhimin i licencave në Komisionin e Pavarur për Media duke thënë se operatorët e shpërndarjes dhe ofruesit e shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale të mediave janë licencuar pa plotësuar kriteret.
“Rezultatet e auditimit tregojnë se procesi i menaxhimit të licencave të Ofruesve të Shërbimeve nga KPM-ja është karakterizuar me dobësi duke ndikuar që kriteret për aktivitetet mediatike të mos zbatohen. Operatorët e shpërndarjes dhe ofruesit e shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale të mediave janë licencuar pa plotësuar kriteret. Komisioni i Pavarur i Mediave me rastin e vlerësimit të aplikacioneve të parashtruara për licencat e transmetimit nuk ka marrë parasysh të gjitha kriteret sipas rregullores së përcaktuar. Po ashtu, ripërtërirja e licencave përcillet me mangësi të konsiderueshme të cilat rrezikojnë integritetin e sistemit të licencimit në Kosovë” thuhet ndër të tjera në gjetjet e auditorit.
Gjatë prezantimit të këtij raporti znj.Vlora Spanca ka theksuar se shumica e mediave veprojnë pa përmbushur obligimet financiare të tarifave vjetore përgjatë viteve dhe masat ligjore ndaj tyre nuk zbatohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave, ku për pasojë kemi grumbullim të borxheve.
“Në grumbullimin e borxheve ka ndikuar edhe mungesa e monitorimit të mediave me kohë dhe në mënyrën e duhur, po ashtu, ndërmarrja e hapave konkret ndaj atyre mediave të cilat nuk zbatojnë kriteret dhe anashkalojnë pagesat e tarifave vjetore.
Mediat nuk kanë respektuar në mënyrë të vazhdueshme afatin 60-ditor të aplikimit për ripërtrirjen e licencave dhe pavarësisht shkeljeve financiare, autoritetet rregullatore nuk kanë ndërmarrë masa ndëshkuese. Në procesin e vendimmarrjes për ripërtëritje të licencave kishte vonesa të mëdha, kryesisht për shkak të mungesës së kuorumit në Komisionin e Pavarur të Mediave duke ndikuar negativisht tek operatorët dhe shërbimet e transmetimit” thuhet ndër të tjera në raportin e Zyres Kombëtare të Auditimit.
E pyetur nga gazetari i KosovaNews se kush janë operatorët dhe mediat të cilët nuk i kanë përmbushur kriteret për licencim dhe a do të dërgohen këto raporte në prokurori? znj.Spanca nuk përmendi emra duke thënë se kjo gjë nuk praktikohet nga ZKA-ja ndërsa shtoi se këto raporte do t’i dërgohen zyrës ligjore brenda ZKA-së dhe nëse ata gjejnë elemente të veprës penale, do të procedohen në organet hetuese.
