Një zyrtar i Komunës së Gjakovës, Besfort Jaka, 40-vjeçar, është njëri prej tre shtetasve kosovarë të arrestuar dje në Shqipëri në kuadër të një operacioni antidrogë, ku u sekuestruan rreth 80 kilogramë kanabis me vlerë të përllogaritur rreth 1 milion euro.
Policia e Shqipërisë ka njoftuar për finalizimin e operacionit të koduar “Anchor”, gjatë të cilit në Portin e Durrësit u sekuestruan 127 pako me kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC dhe peshë totale rreth 80 kilogramë. Sipas autoriteteve shqiptare, droga dyshohet se ishte siguruar në Ontario të Kanadasë dhe ishte transportuar drejt Shqipërisë, me dyshimin se më pas do të shpërndahej në Shqipëri dhe Kosovë.
Në pranga kanë përfunduar Besfort Jaka, 40 vjeç, Taulant Duraku, 32 vjeç dhe Luan Gashi, 26 vjeç, të gjithë shtetas të Kosovës. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Zyrtari komunal nga Gjakova në mesin e të arrestuarve
KosovaNews merr vesh se Besfort Jaka është zyrtar i Komunës së Gjakovës njëherit një përkrahës i madh i kryetarit të Gjakovës Ardian Gjini. Sipas burimeve të KosovaNews, 40-vjeçari së fundmi ishte sistemuar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike më saktësisht zyrta për buxhet në këtë sektor.
Jaka është shfaqur edhe publikisht pranë kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ndërsa shihet se është një përkrahës i Aleancës.


80 kilogramë drogë, automjete dhe mijëra euro
Përveç 127 pakove me kanabis, autoritetet shqiptare kanë sekuestruar edhe tri automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro cash. Sipas Policisë, vlera e drogës në treg përllogaritet në rreth 1 milion euro.
Hetimet shqiptare dyshojnë se personat e përfshirë kishin role të ndryshme në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike. Dy persona të tjerë, një nga Kukësi dhe një me banim në Ontario të Kanadasë, janë shpallur në kërkim.
“Nga aktivitetet politike në Komunën e Gjakovës, në pranga në Shqipëri për 80 kilogramë kanabis – kush është zyrtari Besfort Jaka?”
Raportime të tjera të publikuara më 22 gusht e identifikojnë gjithashtu Jakën si njërin prej tre kosovarëve të arrestuar në operacionin “Anchor”.

