Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shprehur ngushëllime për familjen e zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili ka ndërruar jetë pasi ditë më parë u godit nga një automjet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sveçla e ka cilësuar Kryeziun si pjesëtar shembullor të Policisë së Kosovës, të përkushtuar ndaj detyrës dhe sigurisë së qytetarëve.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Zyrtarit Policor Altin Kryeziu, i cili ditë më parë u godit nga një automjet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Në këto momente të rënda, dhimbja është e madhe për familjen Kryeziu, për mbarë Policinë e Kosovës, për kolegët dhe të gjithë ata që e njohën Altinin, por edhe për të gjithë ne që humbëm një pjesëtar shembullor të Policisë së Kosovës, të përkushtuar ndaj detyrës dhe sigurisë së qytetarëve. Shfrytëzoj këtë rast për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimin tim të thellë për të gjithë personelin mjekësor, i cili me përkushtim të jashtëzakonshëm bëri gjithçka të mundur për trajtimin e Altinit deri në momentet e fundit të jetës së tij”, ka shkruar ai në facebook.
Njëkohësisht, ai ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale në komunikacion.
“Pakujdesia në trafik mund të kushtojë jetë dhe fatkeqësisht, sot po përjetojmë humbjen e një jete të re dhe të një zyrtari që ishte në shërbim të qytetarëve. Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet e mia më të përzemërta për familjen Kryeziu, kolegët e tij në Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që e njohën Altinin. Dhimbjen për këtë humbje të madhe e ndajmë së bashku”, tha ai.

