Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit në bashkëpunim me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) sot kanë shvilluar një operacion të madh të kontrollit tek prodhuesit e mishit në disa rajone të Kosovës.
Sipas burimeve të KosovaNews brenda AUVK gjatë kontrollit në disa fabrika të prodhimit të mishit në Mitrovicë, Pejë e Vushtri janë gjetur mbi 2000 kilogram mish me afat të skaduar i cili dyshohet se pas ripërpunimit po përgatitej të hidhej përsëri në treg.
Gjatë këtij operacioni sasia e mishit është konfiskuar, një pjesë është shkatërruar ndërsa pjesa tjetër është dërguar në laborator për analiza.
Kosovanews mëson se për momentin janë duke u intervistuar disa persona lidhur me këtë çështje.
Ky operacion vjen pas helmimit të mbi 200 personave në komunën e Malishevës të cilët dyshohet se u helmuan në një lokal në qytetin e Malishevës.