Në Universitetin ‘Hasan Prishtina’ këtë vit akademik ofrohen studime të doktoratës vetëm në 5 programe nga gjithsej 14 njësi akademike.
E këtë numër të vogël dekanët e drejtuesit e departamenteve e shohin si pasojë e kritereve të shumta të vendosura nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë së Agjencisë së Akreditimit.
Derisa drejtues të kësaj të fundit vënë në dukje se nëse kërkohet cilësi në studimet, ato duhet bazuar në kritere. Në UP nga viti 2013 deri në 2023 u ofruan studime të doktoratës në 24 programe.
Universiteti Publik ‘Hasan Prishtina’ për vitin akademik 2022/2023, kishte shpallur konkurs për studimet e doktoratës, vetëm për 5 programe, në dy Fakultete, atë Juridik dhe të Mjekësisë.
Numër i vogël i doktoratave në UP, për arsye se disa programe, departamente e Fakultete edhe pse kanë aplikuar për akreditim në Agjencinë e Akreditimit për studime të doktoratës, janë refuzuar nga drejtuesit e Këshillit Shtetëror të Cilësisë së kësaj agjencie, pasi nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara me ligjet në fuqi.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit në vitin 2020 miratoi një Manual i cili rendit kriteret që duhen plotësuar nga njësia akademike, departamenti apo program për aplikim të akreditimit të nivelit të tretë të studimeve atë të doktoratës.
Në këtë Manual për Doktoratat të punuar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë janë të paraqitura 52 standarde, të cilat ndahen në dy lloje, thelbësore dhe plotësuese.
Pika më kundërshtuese nga drejtuesit e njësive akademike të Universitetit të Prishtinës nga dokumenti ‘Standardet për Vlerësimin e Programeve të Doktoratës’ të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, është te kriteri për bartësit e programit.
Në pikën 1.3 të sqarohet kjo çështje: “Të paktën 5 mësimdhënës të stafit akademik duhet të kenë një Doktoraturë në fushën e kërkimit të programit të doktoratës dhe të kenë së paku 3 punime, si autor i parë ose korrespondues, të botuar në botimet përkatëse ndërkombëtare në 5 vitet e fundit”, thuhet aty.
Një gjë e tillë është vështirë e plotësueshme në shumë programe, vë në dukje dekani i njësisë akademike FIEK, Isak Shabani.
“Te doktoratura që vërejë këtu është se, këtë çështje e kam ngritë edhe në kolegjiumin e dekanëve dhe Senat të UP-së, që të bisedojmë dhe të sqarojmë këtë çështje me Agjencinë e Akreditimit se këtu kërkohen 5 profesor, derisa kemi 180 kredit doktoratura”, tha Isak Shabani- dekan në FIEK
Kurse anëtari nga KSHC, Dukagjin Zeka vendosjen e kritereve për akreditimin e programeve të doktoratës e konsideron si bazë për ngritjen e cilësisë së studimeve akademike dhe hulumtimeve shkencore, në të kundërtën uljen e këtyre kritereve e cilëson përjashtim të mundshëm nga organizatat ndërkombëtare për ruajtjen dhe rritjes e cilësisë në arsimin e lartë.
“Këto standarde kanë qenë në diskutim publik në periudhën 2019 dhe 2020, në të cilat kanë qenë prezent përfaqësues të institucioneve publike dhe private dhe nuk kanë pas vërejtje substanciale rreth tyre, me zbatimin e këtyre standardeve Kosova ka arrit të kthehet në ENQA. Praktikat për këto standard i kemi marrë nga Sllovenia dhe Kroacia”, tha Dukagjin Zeka nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA misioni i të cilës është mbikëqyrja e proceseve akademike në arsimin e lartë dhe reagimi për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në universitetet publike, numrin e tanishëm të doktoratura e cilësojnë të shumtë krahas mjeteve financiare që ndahen nga shteti për hulumtime shkencore.
“Edhe kaq sa kemi lëshuar deri tash doktoratura janë shumë krahasuar me kapacitetet që i kemi dhe me sa para ndajmë ne për shkencë, të gjithë duhet me ditë që doktoratura nuk mund të bëhet pa hulumtim shkencor, e sa pak jepet për hulumtime, por nëse e bëjmë pyetjen pse kaq pak është sepse nuk ka angazhim, sepse përveç interesave që duan ti kenë njerëzit e caktuar sot nuk janë interesa për palët e përfshira”, tha Rron Gjinovci nga ORCA
Në Universitetin Publik ‘Hasan Prishtina’ për një dekadë nga viti 2013 deri më 2023, u ofruan studime të niveli të tretë, të doktoratës në 24 programe.


