Kuvendi i Kosovës nisi seancën e radhës sot dhe po bën shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, pas arsyetimit të bërë për miratimin Projektligjit për Zyrtarët Publikë, ftoi deputetët e pranishëm në seancën e Kuvendit që ta miratojnë këtë ligj.
Me të filluar seanca deputetët nga radhët e opozitës kanë shprehur pakënaqësi me ligjin për zyrtarët publikë, duke thënë se nuk duhet të bëhet hapja dhe shpallja e konkurseve për pozitat e larta.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se me Ligjin e propozuar për zyrtarë publikë, në thelb po varroset meritokracia në punësim publik.
“Pas 22 muajve në emër të platformës punësim dhe drejtësi na vjen një ligj i cili në thelbin e vete e varrosë meritokracinë në shërbimin publik. Cili është motivi, cili është synimi i një zyrtari të shtetit që të mendojë për karrierën e vetë kur ngritja në karrierë varet nga partia në pushtet. Sot LVV, nesër një tjetër. Me miratimin e këtij ligji secili drejtor që sot e ka mandatin e tretë a të katërt e ka presionin se a do t’i vazhdohet kontrata”, ka thënë ai.
Tahiri ka shtuar se kjo është goditja më e madhe qe i jepet sistemit.
Ndërkaq deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, në seancën ku në lexim të dytë po shqyrtohet Projektligji për zyrtarët publikë, ka shprehur shqetësimin për qasjen e Qeverisë ndaj administratës.
Ai ka thënë se Qeveria nuk ka marr parasysh kritikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) për këtë ligj.
“Kushdo që e kalon konkursin 70 për qind, emrat prej 30 për qind të tyre shkojnë tek mbikëqyrësi për përshtatshmëri e qëndrueshmëri. Unë i kam kritikat që janë dhënë për të. Nëse nuk ua ndien as për SHBA, as për BE, kë e keni ju referencë. Na detyroni të marrim hapa tjerë kushtetues për ta ndalë këtë çështje. Nuk është që nuk është abuzuar në të kaluarën me administratë por së paku rregullimi ligjor i sistemit nuk është prekur” ka thënë Selmanaj.
Sipas tij sistemi i administratës në Kosovës nuk është i keq.
Kurse kryetari i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Projektligji për Zyrtarët Publikë e cenon punën e administratës publike.
Ai ka shtuar se me kalimin e tij në Kuvend, pushteti po hap konkurse për të emëruar njerëz të afërt.
Tahiri ka bërë thirrje që të tërhiqet projektligji dhe të mos kalojë.
“Si grup parlamentar kemi shprehur shqetësimin tonë sa i përket miratimit të këtij projektligji. E cenon në thelb punën e administratës publike dhe kemi marrë vërejtje edhe nga BE-ja edhe nga shoqëria civile. Ky ligj do ta devijojë punën e mirë të shërbimit civil. Ka pasur stabilitet në administratë por çka po bëni sot po hapni konkurse për të emëruar njerëz të afërt. Dëmtimi i punës së tyre dhe marrja e një kahjeje që e politizon administratën është e dëmshme. I bëjmë thirrje Qeverisë edhe njëherë ta tërhiqni këtë projektligj”, ka thënë ai në seancën e Kuvendit.
Ndryshe Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës.
Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj, përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për shkak të natyrës së saj të funksionimit.
Po ashtu, pas miratimit në lexiom të parë të koncept-dokumentit për Ligjin e ri për zyrtarët publikë, tashmë ky dokument hyn për shqyrtim edhe në lexim të dytë.
Kështu i hapet rrugë konkurrencës dhe marrin fund beneficionet me pozita të larta që persona të caktuar i mbajnë me dekada, duke mos u sfiduar në konkurs.
Detajet se si marrin fund pozitat e përjetshme në institucione të Kosovës dhe hapjen e konkurrencës, respektivisht reformën e thellë që parasheh Ligji i ri për zyrtarët publikë mund ta gjeni këtu.


