Qyteti i Rahovecit do të bëhet me shesh qendror. Të mërkurën është nënshkruar kontrata për ndërtimin e tij, bëhet e ditur në një komunikatë për media nga kjo komunë.
Sipas njoftimit, vlera e kontratës është mbi 3.8 milionë euro.
“Pas asistimit profesional në të gjitha fazat dhe procedurat ligjore deri te hapja e konkursit ndërkombëtar të projektimit, ku kanë aplikuar 80 studio të arkitekturës nga 37 vende të botës e të 5 kontinenteve, juria profesionale me tre anëtarë ndërkombëtarë e dy vendorë, me unanimitet ka vendosur për projektin e hartuar nga arkitektët: Thomas Boerendonk nga Holanda, Daniel Arce Chu nga Uruguaji dhe Nguyen Duy Minh nga Vietnami, të cilët i kanë dhënë Rahovecit një dizajn ikonik dhe shumëfunksional, ashtu siç e kërkuan qytetarët e komunës sonë”, thuhet në njoftim.
Në sheshin qendror të Rahovecit parashihet të ketë shteg të këmbësorëve dhe shëtitore të gjelbër, me shteg për biçiklistë; qendër të sheshit në formë rrethore për ngjarje të mëdha; Qendër të Komunitetit në lokacionin e tregut ekzistues, që do ta ndajë sheshin e vogël te “Hardhia” me sheshin qendror; treg ditor të mbyllur; parking nëntokësor e mbitokësor.
Sipas njoftimit, parashihet edhe zhvendosja e stadiumit të qytetit dhe mbyllja e rrugës “Bajram Veliu” që ndodhet anash stadiumit. Parashihet edhe ndërtimi i një rruge te parkingu ekzistues që lidh rrugët “Xhelal Hajda – Toni” dhe “Ibrahim Rugova”.
Në njoftim s’janë bërë të ditura detaje të tjera për afatet kohore lidhur me këtë shesh.


