Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar sot në një konferencë për medie se i është drejtuar me një shkresë kryetarit të Kuvendit, për t’i kërkuar që ta marrë me urgjencë mbajtjen e një seance.
Ai në këtë rast ka propozuar një rezolutë katërpikëshe të cilën do ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës për votim.
E nëse rezoluta nuk do të ketë sukses, Haradinaj ka thënë se “do të shqyrtojmë masat e tjera”.
Përmes rezolutës, kjo parti kërkon që Qeveria ta shtyjë vendimin për targat, të fillohet diskutim për rikthimin e serbëve të larguar nga institucionet, të niset komunikim me të gjithë faktorët vendorë për daljen nga situata e krijuar dhe që të bëhet një samit në ShBA deri në arritjen e marrëveshjes me njohje reciproke Kosovë-Serbi.
“Kërkojmë me urgjencë mbajtjen e një seance me pikë të vetme, interpelancë me kryeministrin Albin Kurtin. Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 22 vjet. Serbia ka krijuar skenar të destabilizimit të Kosovës duke urdhëruar serbët t’i braktisin institucionet e Kosovës”, tha ai.
Rezoluta e propozuar:
1.Qeveria të marr vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshjen finale për njohje me Serbinë
2.Institucionet e Kosovës fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës
3.Qeveria të nisë komunikimin intensiv me faktorët relevantë në vend, përfshirë opozitën, si nevojë e daljes nga gjendja e krijuar
4.Kërkohet një samit në SHBA, takim disaditorë deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje Kosovë-Serbi


