Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka shkruar një letër kryeministrit Albin Kurtit, në të cilën i ka kërkuar këtij të fundit shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale.
Haradinaj e ka publikuar edhe letrën të cilën ia ka dërguar Kurtit.
Lideri i AAK-së shkruan se me shqetësim po e përcjell situatën e sigurisë në veri të vendit, pas vendimit tuaj të fundit për targat.
Ai në këtë rast potencon se askush, as brenda Kosovës e as partnerët tonë ndërkombëtar nuk e konteston të drejtën e Kosovës për të zbatuar ligjin në mbarë territorin e vendit.
Por, sipas Haradinajt momenti aktual është i ndjeshëm dhe kërkon maturi e gjakftohtësi, në mënyrë që të mos rrezikohet procesi drejt Marrëveshjes Finale mes Kosovës dhe Serbisë.
“Prandaj, ju kërkoj që me urgjencë të pranoni kërkesën e Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar dhe të ndërpreni veprimet që keni marrë deri tani për zbatimin e vendimit në fjalë. Njëkohësisht ju kërkoj që deri në Marrëveshjen Finale, të mos ndërmerrni asnjë veprim që e rrezikon sigurinë e vendit në cilën do pjesë të tij, pa koordinim në plotni me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Haradinaj në lëtrën e tij.
Tutje ai ka inkurajuar Kurtin që të kërkojë ndihmën e Këshilltarit Nacional për Siguri të presidentit Biden, Jake Sullivan për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë situatën aktuale të sigurisë në rajon, deri në Marrëveshjen Finale mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke.
Me këtë letër Haradinaj shfaqi zbutjen e qëndrimeve të tij karshi Serbisë, të cilës sa ishte në pushtet i kishte vendosur taksë 100 për qind edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kishin rekomanduar disa here që të largonte dhe nuk e kishte dëgjuar./KosovaNews/



