Sot në vendin tonë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 18 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 32 deri në 38 gradë Celsius.
Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes, me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.
Në orët e pasdites mund të ketë vranësira të pakta lokale, por nuk parashihen reshje.
Sipas IHMK-së, kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme. Megjithatë, gjatë orëve të mesditës rekomandohet të shmanget ekspozimi i zgjatur në diell, ndërsa personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët duhet të kenë kujdes të shtuar. Gjithashtu, këshillohet konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve.
Sa i përket kushteve agrometeorologjike, ato vlerësohen të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Për shkak të temperaturave të larta dhe avullimit të shtuar, rekomandohet ujitja e rregullt e kulturave. Punimet në ara dhe pemishte preferohet të kryhen gjatë orëve më të freskëta të ditës, kryesisht herët në mëngjes, ndërsa këshillohet edhe monitorimi i lagështisë së tokës, veçanërisht te kulturat e ndjeshme ndaj thatësirës.
IHMK njofton gjithashtu se indeksi UV do të jetë i lartë deri shumë i lartë, në vlerat 8–10. Qytetarëve u rekomandohet përdorimi i kremrave mbrojtës, syzeve të diellit dhe kapelës, si dhe shmangia e ekspozimit të panevojshëm në diell nga ora 10:00 deri në 17:00.


