Në Zubin-Potok është përuruar rehabilitimi i një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, projekt që sipas institucioneve synon forcimin e sigurisë ujore dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend. Në ceremoni morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilët vlerësuan rëndësinë e investimit për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë dhe sigurinë e përgjithshme të Republikës së Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se projekti përfaqëson një investim strategjik për mbrojtjen e kanalit dhe sigurinë ujore të vendit.
“Sot po e përurojmë përfundimin e një projekti madhor të Ibër-Lepencit për sigurinë ujore dhe mbrojtjen e kanalit. Pranë kësaj pjese të kanalit të ujit, që tani nuk është më i dukshëm, dhe për një arsye të mirë, sepse është rehabilituar dhe, me kërkesë të banorëve, këtu është mbuluar për ta rritur sigurinë për të gjithë. Prej se është ndërtuar në vitet e 80-ta, ky kanal ka qenë infrastrukturë jetike për Republikën e Kosovës. Kanali, që nis në këtë komunë dhe i përshkon 49 kilometra deri në Prishtinë, siguron ujin për termocentralet tona, që prodhojnë deri në 90 për qind të energjisë sonë, për tokën bujqësore në Rrafshin e Kosovës dhe për fabrikat e ujit të pijes që furnizojnë nëntë komuna me mbi 500 mijë banorë. Prandaj, mbrojtja e tij nuk është thjesht një çështje lokale dhe as vetëm teknike, është mbrojtje e përditshme e Republikës, e dritës në shtëpi, e ujit nga rubineti, e prodhimit në ekonomi dhe e bukës nga ara”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se investimi prej 18 milionë eurosh nuk është vetëm reagim ndaj rreziqeve, por ndërtim i kapaciteteve për parandalimin e tyre.
“Përmes këtij projekti, në vlerë prej 18 milionë eurosh, janë rehabilituar 37 segmente kyçe përgjatë 49 kilometrave të kanalit, si dhe është ndërtuar një rezervuar kompensues me kapacitet prej 30 mijë metrash kub, i cili mundëson furnizim emergjent për termocentralet ose ujësjellësit në rast nevoje emergjente. Ky projekt dëshmon se Republika jonë nuk mjaftohet me reagimin ndaj rrezikut; ajo ndërton kapacitete që rreziku të parandalohet dhe shërbimet të vazhdojnë t’u ofrohen me cilësinë e duhur, pa ndërprerje. Ne zgjodhëm që përurimin e projektit ta bëjmë pikërisht në këtë vend, ku kanali dikur ka qenë rrezik për banorët, por ku sot ndërmarrja Ibër-Lepenc investon në infrastrukturë, punëson qytetarët dhe e përmbush misionin e vet për shtetin”, tha Kurti.
Ndërsa, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se projekti është i një rëndësie të veçantë për sigurinë ujore të Kosovës, duke kujtuar edhe sulmin terrorist ndaj kanalit vitin e kaluar.
“Është kënaqësi e veçantë të jem këtu sot për të përuar një projekt tejet të rëndësishëm për sigurinë e kanalit dhe sigurinë ujore të Republikës së Kosovës. Herën e fundit që kemi qenë këtu ka qenë përafërsisht para një viti, kur puna në këtë pjesë ka filluar, ndërkohë që kishin kaluar më pak se gjashtë muaj prej se ishte përfunduar rehabilitimi i asaj pjese të kanalit që ishte cak i një sulmi terrorist. Ky rast na bëri më së miri ta kuptojmë e ta ndiejmë thellë atë që të gjithë e dinim racionalisht: që Ujmani është jetik për sigurinë e vendit tonë, duke qenë jetik edhe për furnizimin me ujë dhe për rezervat ujore, duke pasur dy të tretat e rezervave të gjithë Republikës së Kosovës, por edhe për furnizimin me ujë të rreth 500 mijë banorëve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, shteti, institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike nuk janë aty vetëm për të reaguar kur ka sulme. Mirëmbajtja e rregullt dhe e duhur e infrastrukturës kritike është po aq e rëndësishme për sigurinë”, tha ajo.
Ajo shtoi se rehabilitimi ka përmirësuar kapacitetin dhe monitorimin e kanalit.
“Ky projekt që po përurojmë sot ka dhënë tri rezultate kryesore: e para, e ka rehabilituar kanalin dhe ia ka rikthyer kapacitetin fillestar; e dyta, e ka përmirësuar cilësinë e ujit; dhe e treta, e ka modernizuar mënyrën se si monitorohet dhe menaxhohet e gjithë kjo infrastrukturë kritike. Rezultati i parë është rehabilitimi i plotë i 10 kilometrave të kanalit. Segmentet e dëmtuara janë veshur me beton të ri të armuar, ndërsa pjesët me dëmtime strukturore dhe rrjedhje aktive janë sanuar”, shtoi Rizvanolli.


