Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia vazhdon të fshehë vendndodhjen e rreth 1.600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke theksuar se mijëra familje ende jetojnë me dhimbjen e mungesës së më të dashurve të tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka kujtuar 23 intelektualët e Mitrovicës, të cilët, sipas saj, u rrëmbyen nga forcat serbe në prill të vitit 1999, duke lënë familjet dhe qytetarët në pritje për fatin e tyre për 27 vjet.
Ajo ka thënë se zbulimi i varrezës masive në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se ndodhen eshtrat e tyre, përbën një lehtësim për familjet, por njëkohësisht është edhe rikujtim i krimeve të luftës dhe i nevojës për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Serbia ende përsërit krimet, duke fshehur në mënyrë sistematike vendndodhjen e rreth 1.600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka shkruar Osmani.
Në fund të reagimit, ajo ka bërë thirrje për unitet, duke theksuar se përballë dhimbjes së familjeve që ende kërkojnë të afërmit e tyre dhe kërkesës për drejtësi, dallimet mes qytetarëve nuk duhet të kenë rëndësi.


