Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka folur sërish për marrëveshjen në parim që Serbia të hap konsullatë në Shkodër dhe Shqipëria në Luginën e Preshevës. Hoxha ka thënë se asnjë shtet nuk do të lejonte një prani diplomatike që cenon e kërcënon interesat e vendit.
Në një intervistë për Top Channel, Hoxha ka thënë se ky angazhim me Serbinë, nuk e ndryshon qëndrimin dhe mbështetjen ndaj Kosovës.
“Angazhimi diplomatik me Serbinë nuk nënkupton në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë pandjeshmëri ndaj Kosovës, aq më pak relativizim të politikës së Beogradit ndaj saj. Qëndrimi i Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, mëvetësinë dhe zhvillimin si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe mbështetjen e pakursyer të shtetit shqiptar, ka qenë dhe mbetet i qartë, i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm”, ka thënë Hoxha.
Sipas Hoxhës, kjo dakordësi do të arrinte që shteti të ishte më afër shqiptarëve jashtë kufijve duke vlerësuar me rëndësi në këtë debat pyetjen: çfarë përfiton Shqipëria me një konsullatë në Luginën e Preshevës. Debati sipas ministrit të jashtëm është zhvilluar në mënyrë absurde në emër të interesave të supozuara të Serbisë sesa të interesave konkrete të shqiptarëve.
“Kushdo që pretendon se Shqipëria duhet ta hapë Konsullatën e saj në Serbi, por pa pranuar që Serbia të ketë të njëjtën mundësi në Shqipëri, nuk propozon një zgjidhje reale dhe flet në hava. Një qasje e tillë mund të tingëllojë patriotike në rrjetet sociale, por nuk prodhon asnjë rezultat konkret për shqiptarët e Luginës. Në rastin më të mirë, ajo dëshmon një mosnjohje të thellë të mënyrës se si funksionojnë diplomacia dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Në rastin më të keq, ajo është një përpjekje e vetëdijshme për të penguar një objektiv që i shërben drejtpërdrejt interesit kombëtar”, ka deklaruar Hoxha.
Hoxha ka shtuar tutje se madhësia e komunitetit jashtë kufijve nuk është arsyeja e vetme për hapjen e një konsullate, por vendimi bazohet edhe në çështje ekonomike, kulturore, turistike apo interesash strategjikë.
“Unë kam detyrimin të mbroj interesat e Shqipërisë. Serbia, ashtu si çdo shtet tjetër, bën të njëjtën gjë për interesat e saj. Ajo nuk përcakton interesat tona, as ne nuk përcaktojmë të sajat. Ne nuk po vendosim kurrfarë shenje barazimi ndërmjet shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi serbe që jetojnë në qarkun e Shkodrës. Përkundrazi, vetë disproporcioni numerik tregon qartë se nga anon interesi praktik dhe i vërtetë”, ka thënë Hoxha.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, konfirmoi gjatë javës se Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginë të Preshevës dhe Serbia nga ana e saj ka kërkuar një të tillë në Shkodër.
Hoxha ka thënë se ende s’ka dakordancë për këtë por kur të ketë “në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse.”
Paraprakisht, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi për arritjen e kësaj marrëveshje në parim me Shqipërinë.
Megjithatë një gjë e tillë shkaktoi debat e reagime në Kosovë e Shqipëri.


