Inspektorati Qendror i Punës, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, si dhe të sigurisë dhe shëndetit në punë, ka realizuar inspektime në gjashtë kantiere ndërtimi në komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës.
Sipas njoftimit, gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
“Për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë dhe shëndetit në punë, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në gjashtë kantiere ndërtimi – tre në Fushë Kosovë dhe tre në Prishtinë – deri në eliminimin e plotë të të gjitha parregullsive të evidentuara”, thuhet në njoftim.
Masat e ndërmarra kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për të gjithë punëtorët.


