Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Landit të Baden-Württembergut, Cem Özdemir, duke e cilësuar atë si fillimin e një kapitulli të ri në partneritetin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij landi gjerman.
Ajeti bëri të ditur se ishte ambasadori i parë i një shteti evropian që u prit nga Özdemir pas marrjes së detyrës si kryeministër i Baden-Württembergut.
Sipas ambasadorit, gjatë takimit u riafirmua angazhimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor, si dhe për institucionalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Landit të Baden-Württembergut.
Ai theksoi se Baden-Württembergu është landi me komunitetin më të madh të mërgatës kosovare në Gjermani, duke e cilësuar diasporën si një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve. Po ashtu, Ajeti vlerësoi kontributin e kompanive nga Kosova dhe Gjermania në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare.
Ambasadori nënvizoi edhe lidhjet e ngushta në transportin ajror, duke bërë të ditur se vetëm gjatë kësaj jave janë planifikuar 25 fluturime direkte ndërmjet Prishtinës dhe Shtutgartit, si dhe katër të tjera me Karlsruhen/Baden-Baden.
Në fund, Ajeti u shpreh i bindur se mbi bazën e marrëdhënieve ekzistuese do të krijohen mundësi të reja për bashkëpunim politik, ekonomik dhe kulturor, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Baden-Württembergut.


