Dogana e Kosovës ka njoftuar se konfiskuar 25 për qind të mjeteve monetare të padeklaruara, të cilat u zbuluan gjatë një kontrolli rutinor në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, zyrtarët ndaluan për kontroll një automjet me targa vendore në hyrje të Kosovës, pasi ai kishte ngjallur dyshime për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën ishte paraqitur në pikën kufitare.
Fillimisht, drejtuesi i automjetit deklaroi se nuk posedonte mallra apo mjete monetare që duhej të deklaroheshin.
“Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare që i nënshtroheshin deklarimit.Bazuar në analizën e rrezikut, zyrtarët doganorë kanë kryer një kontroll të detajuar të automjetit, me ç’rast janë gjetur mjete monetare në vlerë që tejkalon kufirin ligjor prej 10,000 euro, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore”, thuhet në njoftim.
Rasti është proceduar sipas kompetencave ligjore dhe do t’i nënshtrohet procedurave të mëtejshme administrative dhe ligjore.
Dogana e Kosovës rikujton se çdo person që hyn ose del nga vendi me 10 mijë euro ose më shumë, në para të gatshme apo mjete të tjera monetare të bartshme, është i obliguar t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore. Mosdeklarimi thuhet se përbën shkelje ligjore dhe mund të rezultojë me konfiskim të pjesshëm të mjeteve dhe procedura të tjera për verifikimin e origjinës së tyre.


