Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova do të përfitojë 206.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, përmes programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, si dhe granteve nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Përmes një njoftimi, Kurti tha se më 7 korrik Bashkimi Evropian e ka njoftuar zyrtarisht Kosovën se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë euro.
“Pas miratimit nga Komisioni Evropian dhe më pas nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes Financiare nga Kuvendi, projektet do të fillojnë zbatimin”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, fondet do të mbështesin fushat prioritare të vendit, përfshirë mjedisin dhe klimën me 44 milionë euro, energjinë me 34.5 milionë euro, menaxhimin e kufijve dhe migrimin me 30.5 milionë euro, konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin me 31.8 milionë euro, qeverisjen e mirë dhe përafrimin me BE-në me 24.7 milionë euro, si dhe sundimin e ligjit me 15 milionë euro.
Kurti ka theksuar se rreth gjysma e këtyre fondeve do të destinohen për investime infrastrukturore, ndërsa shumica e projekteve do të realizohen në bashkëpunim me partnerë të tjerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet vendore.
Ai ka njoftuar po ashtu se, përveç projekteve të IPA 2026 dhe IPA 2027, janë miratuar edhe tri grante nga WBIF, në vlerë totale prej 25.9 milionë euro.
Sipas Kurtit, këto grante përfshijnë asistencë teknike për përgatitjen e investimit infrastrukturor në Hidrosistemin Ibër-Lepenc, asistencë teknike për përgatitjen e segmentit të autostradës Qafë e Duhlës–Banullë, si dhe grant investues prej 24.3 milionë euro për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Podujevë, në bashkëpunim me BERZH-in.
“Falënderojmë Bashkimin Evropian për mbështetjen. Këto mjete do të shfrytëzohen në funksion të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit”, ka deklaruar Kurti.


