Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar lidhur me lajmet se fundviti në Kosovë do të shoqërohet me temperatura ekstreme minimale deri në –20°C dhe me borë. Sipas IHMK-së, këto informacione kanë krijuar shqetësim dhe konfuzion tek qytetarët.
IHMK thekson se është institucioni i vetëm i autorizuar për të bërë njoftime zyrtare për motin, bazuar në Ligjin Nr. 06/L-035 për Veprimtarinë Hidrometeorologjike. Ky ligj përfshin, ndër të tjera, Nenin 13 për sistemin e paralajmërimit të hershëm për ngjarjet e jashtëzakonshme hidrometeorologjike dhe Nenin 28 për lëshimin e informacionit të përgjithshëm meteorologjik dhe hidrologjik.
Në Nenin 9, pika 2 e këtij ligji thuhet se parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive natyrore me origjinë hidrometeorologjike për Republikën e Kosovës jepet ekskluzivisht nga IHMK. Sipas institutit, çdo subjekt apo individ tjetër që bën njoftime, parashikime apo paralajmërime për motin vepron fillimisht jashtëligjshëm dhe më pas në mënyrë joprofesionale e shkencërisht të pasaktë.
Reagimi i IHMK-së vjen pas një postimi të menaxherit të departamentit meteorologjik në KANS, Sherif Gosalci, i cili kishte deklaruar se sipas parashikimeve aktuale, në pjesën e dytë të javës së ardhshme pritet depërtim i masave më të ftohta ajrore, me temperatura që mund të zbresin deri në -20 gradë.
Reagimi i plotë i IHMK-së
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u është drejtuar qytetarëve duke sqaruar se ditëve të fundit në media dhe portale është shpërndarë lajmi për temperatura ekstreme dhe borë gjatë fundvitit, duke shkaktuar konfuzion dhe shqetësime. IHMK rithekson se vetëm ky institucion ka të drejtë ligjore të lëshojë njoftime dhe paralajmërime zyrtare për motin.
IHMK sqaron se standardet e parashikimit të motit bazohen në rregullat globale të Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM), të cilat përfshijnë të dhënat, terminologjinë dhe kriteret e saktësisë. Besueshmëria është e lartë (mbi 80%) për parashikimet afatshkurtra 1–3 ditë, ndërsa bie ndjeshëm për periudha më të gjata.
Sipas institutit, Shërbimet Hidrometeorologjike Nacionale janë institucionet kompetente për vrojtimet dhe paralajmërimet e hershme të motit. Matja e elementeve kryesore atmosferike, si temperatura, presioni, era, lagështia, reshjet dhe mbulesa e reve, bëhet përmes satelitëve, radarëve dhe sensorëve tokësorë. Këto të dhëna analizohen me modele meteorologjike dhe historike për të parashikuar kushtet e ardhshme dhe për të lëshuar alarme sipas niveleve të rrezikut.
Saktësia e parashikimit të motit
Parashikimet janë përgjithësisht shumë të sakta për periudhën 1–3 ditë (80–90%), por saktësia bie në rreth 50% për parashikime 5–10 ditë e më shumë.
- Parashikimi afatshkurtër (0–3 ditë / 72 orë): Shumë i saktë, përdoret për motin ditor dhe është standard për parashikimet publike.
- Parashikimi afatmesëm (4–7 ditë): Me saktësi mesatare, valët e nxehtit dhe frontet e ftohta zakonisht parashikohen mirë.
- Parashikimi i zgjatur (8–14 ditë): Me saktësi të ulët për detaje, jepen vetëm tendenca të përgjithshme.
- Afatgjatë / perspektivë: Javë deri në muaj, bazohet në modele klimatike dhe jepet si probabilitet, jo si parashikim i drejtpërdrejtë i motit.
Në përfundim, IHMK thekson se për shkak se atmosfera është dinamike, parashikimi i besueshëm i motit është i kufizuar zakonisht në rreth 7–10 ditë.


