Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Besim Kelmendit dhe ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin Kelmendi ishte shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
“APROVOHET e bazuar ankesa e paraqitur nga Besim Kelmendi, UD. Kryeprokurorit të Shtetit, ANULOHET vendimi KPK.nr.1056/2025, i datës 20.11.2025 si i kundërligjshëm dhe lënda i kthehet Këshillit Prokurorial të Kosovës në rishqyrtim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin e siguruar “Betimi për Drejtësi“.
Lajmi do të përditësohet
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative kishte refuzuar kërkesën e Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe për pezullimin e vendimit të KPK-së, me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Besim Kelmendi i cili në mbledhjen e 20 nëntorit 2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kishte ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit. Po ashtu, Kelmendi kishte propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë- pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe të vazhdojë ushtrimin e pozitës së U.D Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Shkarkimi i Kelmendit nga kjo pozitë, u bë me votat e pesë anëtarëve të zgjedhur të KPK-së të cilët ishin të pranishëm në takimin e 20 nëntorit, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje.
Sipas padisë për inicimin e konfliktit administrativ me propozimin për caktim të masës së përkohshme, përkundër se vendimi i të paditurës KPK është për shkarkimin e paditësit, meqë nuk është ndjekur procedurë disiplinore dhe vendimi si i tillë nuk paraqet Vendim për masë disiplinore për paditësin, paditësi nuk mund të ushtrojë të drejtën e mjetit juridik të ankesës në Gjykatën Supreme. siç e garanton neni 19 paragrafi 4 i Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Në padinë e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se KPK-ja në vendimin për shkarkimin e paditësit nuk e ka trajtuar rastin në kuptimin disiplinor, por nga vetëm 5 prej 10 anëtarëve e zgjedhur të KPK-së është marrë si kinse një nga vendimet e zakonshme të KPK-së, që përbëjnë akt administrativ.
Andaj, duke qenë se KPK është institucion i pavarur siç e garanton Kushtetuta dhe nuk ka organ epror për të shqyrtuar ankesën ndaj vendimeve të tij, paditësi paraqiti drejtpërdrejt këtë padi në këtë Gjykatë.
Në padi theksohet se më 20 nëntor u thirr takimi i KPK-së, i cili për pikë të rendit të ditës kishte: Raportin e komisionit zgjedhor nga radhët e prokurorive themelore nga komuniteti joshumicë apo gjinia e nënpërfaqësuar i datës 3 nëntor 2025. Por, para miratimit të rendit të ditës, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli propozoi që në rendin e ditës të futet edhe shkarkimi i paditësit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Pas këtij propozimi, pesë anëtarët e KPK-së – paditësi si anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Arian Gashi, Visar Krasniqi dhe Dardan Vuniqi – fillimisht e kundërshtuan këtë propozim, duke e konsideruar arbitrar dhe të kundërligjshëm, e më pas e lëshuan menjëherë takimin e Këshillit. E që, në padi thuhet se me largimin e tyre, kuorumi bie automatikisht në më pak se minimumin e kërkuar me ligj.
Më tej, thuhet se kryesuesi Ardian Hajdaraj, duke vepruar sipas detyrimit të tij ligjor, e mbylli mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, e cila juridikisht prodhon efekt përfundimtar, duke shënuar fundin e çdo kompetence për vendimmarrje deri në thirrjen e një mbledhjeje të re.
“Megjithatë, kryesuesi i KPK-së, pasi e mbylli zyrtarisht mbledhjen duke konstatuar mungesën e kuorumit, në të njëjtën ditë caktoi një takim të ri pas vetëm disa minutave. Në takimin e ri të pesë anëtarëve të Këshillit Prokurorial, morën pjesë vetëm: Jetish Maloku, Jehona Grantolli, Ariana Shajkovci, Milot Krasniqi dhe kryesuesi Ardian Hajdaraj, ndërsa nuk ishin të njoftuar apo të ftuar fare anëtarët tjerë të Këshillit: Arian Gashi, Veton Shabani, Dardan Vuniqi dhe Visar Krasniqi, si dhe tani paditësi Besim Kelmendi. Në këtë takim të dytë vetëm nga 5 anëtarë të KPK-së është marr vendimi KPK.nr.2062/2025 i datës 20.11.2025, me të cilin paditësi është shkarkuar nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në padi.
Sipas padisë, rënia e kuorumit e bën juridikisht të pamundur çdo vendimmarrje dhe se vendimmarrja pas mbylljes së mbledhjes, pa thirrje të re, është akt i nxjerrë në kundërshtim me procedurën thelbësore dhe, si e tillë, përbën shkak të pavlefshmërisë absolute.
Aty potencohet se neni 37/A i Ligjit nr. 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i titulluar si dispozitë kalimtare, përcakton qartë dhe në mënyrë imperative se: “Derisa të zbatohet përbërja e përhershme e Këshillit prej shtatë (7) anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një (1) anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm.”
“KPK aktualisht sipas një analize të vet KPK-së, ka njëmbëdhjetë (11) anëtarë të zgjedhur. Duke u bazuar në formulën eksplicite të nenit 37/A, kuorumi i domosdoshëm për mbajtjen e mbledhjes dhe për marrjen e çdo vendimi është: gjysma e anëtarëve të zgjedhur (11 : 2 ≈ 5,5) e rrumbullakosur në pesë (5), plus një (1) anëtar – pra gjithsej gjashtë (6) anëtarë”, thuhet në padi.
Por, në padi thuhet se në momentin e marrjes së vendimit të kontestuar, në sallë kanë qenë vetëm pesë anëtarë të KPK-së, gjë që e bën të pamundur formimin e kuorumit të nevojshëm.
“Për pasojë, KPK nuk ka pasur organ kolegjial të konstituuar në atë çast dhe, si rrjedhim, nuk ka pasur as kompetencë funksionale për të marrë vendime”, thuhet në vendim.


