Ditën e sotme qytetarët janë njoftuar për ndërprerje të energjisë elektrike në orare të caktuara nga KEDS/KESCO. Në një reagim të saj për situatën me energji, Ministria e Ekonomisë (ME) ka thënë se Qeveria e Kosovës do të ndërhyjë për të ndaluar humbjet nga vjedhjet e energjisë elektrike.
Pas fillimit të reduktimeve të energjisë elektrike, Ministria e Ekonomisë ka thënë se humbjet komerciale të shkaktuara nga vjedhjet dhe humbjet teknike të KEDS-it janë 19 për qind.
Sipas ministrisë, këto humbje ende mbulohen nga prodhimi dhe importi, por jo vet nga KEDS-i.
Sipas njoftimit të ME, institucionet përgjegjëse që monitorojnë punën e akterëve të furnizimit me energji, janë duke marrë të gjitha hapat që furnizimi me energji elektrike t’i kthehet normalitetit.
Por në këtë rast ministria ka bërë edhe njëherë thirrje që të kursehet energjia.
“Është me rëndësi që secila e secili prej nesh të kemi kujdes dhe të kursejmë shpenzimin e energjisë elektrike gjatë gjithë ditës. Kursimi i vogël individual do ta lehtësonte tejet shumë furnizimin me energji elektrike, si dhe to të lehtësonte vështirësitë të mëdha që po kalon dhe do të kalojë vendi”, thuhet në njoftim.
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se janë duke bërë gati masat për furnizim të rregullt, por edhe për të ndërprerë vjedhjet e energjisë elektrike.
“Askush, e aq më pak qytetarët dhe buxheti i vendit, nuk duhet të paguajnë çmimin e lartë të importit për ata që tolerohen të vjedhin energji. Prandaj, në këto kushte Qeveria, me mjetet dhe kompetencat e saj, do të ndërhyjë për ta minimizuar deri në ndalje të plotë këtë dukuri, pa asnjë kompromis”.
Ministria ka paralajmëruar edhe masa ndihmëse për qytetarët për çështjen e ngrohjes, por që nuk ka specifikuar se çka do të jenë këto masa.
Por ME iu ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të cilët janë duke bërë investime në sistemin e ngrohjes, t’i ndërrojnë ato nga energjia elektrike, në forma të tjera të burimit të energjisë.
Ministria ka dhënë informata edhe rreth prodhimit të rrymës që aktualisht bën KEK-u.
“Kosova A – A3 dhe A4 janë në prodhim; Kosova B – B1 është përfunduar remonti dhe është në prodhim; B2 remonti ka filluar dhe do të përfundojë më 26 gusht 2022. Prodhimi ditor i KEK është rreth 507 MËh. Kërkesa për konsum është deri në 750 MËh. Çmimi në bursën Hungareze (HUPX) është rreth 430 euro për MËh”, ka bërë të ditur ministria.
Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, ka njoftuar se ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës.
Nga sot, sipas KEDS, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor.


