Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, ka paralajmëruar uljen e çmimit të derivateve, në ditën kur nga presidenti amerikan, Donald Trump, u njoftua për armëpushim në luftën Iran-Izrael, që ishte shkak i shtrenjtimit.
Çmimet e naftës qe dy javë kanë shkuar duke u ngritur në Kosovë. Shtrenjtimi u bë për rreth 15 centë në litër. Naftëtarët e kanë lidhur këtë me shtrenjtimin e derivateve në tregjet ndërkombëtare, në të cilat tani ka nisur ulja e çmimit.
“Sot është ditë e bukur me diel. Besoj se do të jetë lajm i mirë. Do të ketë rënie të çmimeve. Presidenti amerikan e ka bërë luftën siç e bëri, por ai nuk do të lejojë çrregullime në tregun ndërkombëtar. Kosova është treg i vogël, po bëhet panik i madh. Mund ta shihni që sot dizeli është 1.24 euro e benzina 1.23. Por nëse diku është 1.3 euro, qytetari ka mundësi të zgjedhë çmimet ku të dojë sepse jemi shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karburanti. Gjasat janë të mëdha që të ketë rënie, por jo rënie të madhe sepse ashtu-kështu çmimet nuk janë të larta”, ka thënë ai për KTV-në të martën në mëngjes.
Sipas tij, shtrenjtimi erdhi nga ngritja e çmimit prej 50 dollarësh në ditë në ton në bursa ndërkombëtare. E Berjani ka thënë se të hënën rënia ishte rreth 20 dollarësh dhe po vazhdon edhe të martën. Sipas tij, kjo nënkupton ulje fillestare prej 2 centësh. Ai ka thënë se dita e dytë dhe e tretë janë definitive për të përjetuar rënie të çmimeve